20/04/2026

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Pastasellës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.

Në një postim në faqen e Presidencës në Facebook, Osmani citohet të ketë thënë se drejtësia për viktimat e regjimit serb është kërkesë e përhershme.

“Sot kujtojmë masakrën e kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, me ç‘ rast u vranë dhe u masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civilë. Dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së tyre, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm. Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë kërkesa të përhershme tonat, nga të cilat ne nuk heqim dorë”, ka shkruar Osmani.
Haradinaj: Përgjegjësit për Masakrën e Pastasellës ende të pandëshkuar

Masakrën e Pastasellës e ka kujtuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se përgjegjësit për këtë masakër, mbesin ende të pandëshkuar.

“Kujtojmë motrat e vëllezërit tanë, që u martirizuan 24 vjet më parë në Pastasellë të Rahovecit. Dora barbare, nuk i kurseu as të miturit, as gratë e pleqtë, në tentim të zhbërjes së qenies tonë. Përgjegjësitë për këtë krim makabër mbesin ende të pandëshkuar! Përjetësisht të përulur para sakrificës së madhe, që kurrë nuk e harrojmë. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.