07/10/2024

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë pas mesnatës në veri të Kosovës është raportuar për djegën edhe të tri veturave të cilat thuhet se ishin të regjistruara me targa RKS.

“Me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kjo ka ndodhur pasi edhe të mërkurën në veri të vendit është raportuar për djegjen e dy veturave të tjera të cilat iu përkisnin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat gjithashtu ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës.

“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj drejt hetimit dhe zbardhjes së rasteve të tilla, si dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftim.