18/07/2024

Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në Samitin e dytë për Demokraci, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në panelin me temën “Zgjedhje të lira dhe të drejta – Roli i Kongresit në promovimin e politikave të shëndosha zgjedhore dhe pjesëmarrjen e votuesve”.

Në komunikatë thuhet se në fjalimin e tij, Konjufca foli për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në organizimin e të gjitha cikleve zgjedhore deri më tani, duke shtuar se progresi i arritur në këtë fushë ka kontribuar në zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe se të gjitha proceset elektorale viteve të fundit, sipas raporteve vendore e ndërkombëtare, janë organizuar duke përmbushur standaret më të larta demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta duke dëshmuar kështu pjekuri dhe kulturë të lartë politike dhe qytetare”, theksoi kryetari Konjufca.

Kryetari i Kuvendit potencoi gjithashtu rolin e Kuvendit të Kosovës në këtë process, duke theksuar “faktin që pas një përpjekjeje disa vjeçare, tashmë grupet politike parlamentare janë në prag të përmbylljes së punës për reformën zgjedhore, për të mundësuar adresimin e mangësive të shpërfaqura gjatë proceseve të kaluara zgjedhore dhe së shpejti ato ndryshime do të miratohen në Kuvend”.

“Pavarësisht sfidave dhe punës që na pret, të arriturat e deritanishme dëshmojnë maturinë tonë politike dhe përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti demokratik të qëndrueshëm”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca./21Media