10/12/2024

E hëna e 13 marsit, është afati i i fundit kur subjektet politike mund të deklarohen nëse nuk duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës.
“Afati i vendosur nga KQZ-ja për partitë politike për të deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje është deri më 13 mars”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri të premten ky institucion ka pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 8 parti politike Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit.
Ndërsa Lista Serbe edhe pse njoftoi përmes një postimi në Facebook se nuk do të marr pjesë në këto zgjedhje, ky subjekt, akoma nuk e ka njoftuar KQZ-në zyrtarisht për këtë vendim.
Afati për të aplikuar për certifikim për zgjedhjet në komunat veriore është i hapur deri më 22 mars.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, dhe Zveçan, si dhe të zgjedhjeve të parakohshme për dy kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.