06/02/2025

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se plani evropian, përveç se nuk e ka njohjen në qendër, e ka Asociacionin, madje ndoshta edhe autonominë.

“Nga situata e para dy viteve, kur të gjithë aleatët tanë flisnin për marrëveshje finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative, me njohjen të ndërsjellë në qendër, kryeministri i Kosovës (Albin Kurti) ka përfunduar në një kompromis tepër të rëndë, në një marrëveshje të përkohshme, që në qendër nuk e ka më njohjen, e ka Asociacionin, ndoshta autonominë në qendër, dhe me pranimin zyrtar të faktit se Serbia nuk ka më nevojë të na njoh si shtet, të paktën për sa të jetë kjo marrëveshje në fuqi. Nuk e di si mundet me pas fqinjësi të mirë, kur dy shtetet nuk e njohin njëra-tjetrën”, tha Krasniqi në kuvend, përderisa po diskutohet plani evropian, me prani të kryeministrit Kurti.

Krasniqi tha se neni 7 i këtij plani, rrezikon të sjellë një autonomi politike dhe substanciale, njofton Klankosova.tv.

Tutje ai tha se nuk mund të thuhet nga askush se nga ky plan ka njohje ‘de-facto’.

“Problemi thelbësor është se ne këtu po pranojmë të heqim dorë prej njohjes së ndërsjellë. Nuk është e lehtë, nuk është e mundshme, nuk duhet me u pranu, nuk mundemi me ec përpara nëse heqim dorë prej kësaj kërkese themelore dhe nuk mund të thuhet nga askush se ka njohje ‘de-facto’. Unë do ta pranoja këtë argument nëse Serbia shkon e ndërron kushtetutën dhe nuk dërgon nota verbale për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Krasniqi.