23/02/2024

14 persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, lidhur me aksionin e rastit ‘’Brezovica’’.

Këtë e kanë bërë të ditur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, transmeton klankosova.tv.

”Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës- Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, Njësinë e Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Njësinë e Hetimeve të Doganës së Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive, lokaleve përcjellëse dhe auto salloneve- zyrave të ndërmarrjeve, sot, ka realizuar një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”, ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur një numër i madh i autosalloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt,Vushtrisë, Lipjanit, komunës së Vitisë, ku, me ç’rast janë arrestuar katërmbëdhjetë (14) persona të dyshuar.

Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së.

Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme”.​