​Osmani takon Papa Françeskun: Njohja nga Vatikani kontribuon në avancimin e raporteve shekullore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në audiencë private nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Kurse, pas takimit ka shkruar se synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në avancimin e mëtejmë të raporteve shekullore.

Osmani ka shkruar në Facebook se thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi i përbashkët.

“E lumtur të pritesha në audiencë private nga Papë Françesku në Selinë e Shenjtë. Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë. Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi”, thuhet në postimin e saj në Facebook.

Ajo ka shtuar se thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientim i përbashkët.

Sipas saj, synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve mes dy vendeve, siç i ka quajtur ajo, shekullore.

Share post: