Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, ku diskutuan për gjendjen e përgjithshme pas vërshimeve që ndodhën në Kosovë.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se Sveçla e njoftoi Spence për gjendjen e përgjithshme e cila është për momentin në komunat ku ka pasur vërshime më të mëdha dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës.
“Menjëherë pas fillimit të vërshimeve, MPB ka ngritur gatishmërinë shtetërore dhe ka bërë koordinimin e veprimeve së bashku me agjencitë ekzekutive dhe komunat, që fillimisht të evakuojnë të gjithë banorët dhe të mos kemi viktima në njerëz”, theksoi Sveçla.
Ndërsa, koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë e falënderoi ministrin për rezymenë e përgjithshme për situatën pas vërshimeve dhe vuri në pah se UN ka gatishmëri që të ndihmojë familjet dhe qytetarët që janë prekur nga vërshimet.