Qëllohet mbi policinë në veri të Kosovës/ Forcat e rendit hapin zjarr, mbetet i plagosur një serb

Një tjetër incident është shënuar sot në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të mbetet mjaft e brishtë pas tensioneve të përsëritura të këtyre muajve të fundit.

Një njësi policore është sulmuar paraditen e sotme në Bistricë të Leposavicit nga persona që ndodheshin në një automjet, i cili ka tentuar të anashkalojë kontrollet e forcave të rendit.

Policia thotë se nga makina në lëvizje është shtënë mbi automjetin e efektivëve, duke rrezikuar drejtpërdrejtë jetën e tyre. Për të neutralizuar rrezikun, këta të fundit janë përgjigjur duke hapur zjarr. Të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes.

“Njësia policore, e cila ndodhej në pikën e kontrollit në krye të detyrës, ka dashur që të ndalojë automjetin në fjalë, i cili nuk i është bindur thirrjes për të ndaluar, përkundrazi ka shtënë mbi efektivët. Të dyshuarit janë larguar bashkë me mjetin e tyre nga vendngjarja ndërsa është hapur menjëherë një hetim mbi incidentin, e është njoftuar edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës për procedura të mëtejme”, thanë burime policore.

Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb. Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkovic tha se i plagosuri me inicialet M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës. Ai doli me pretendimin njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar” automjetin “vetëm sepse nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

I njëjti zyrtar pohon se në makinën që qarkullonte në rrugën Mitrovicë-Leposavic, përveç M.D, ishte edhe D.S, i komunitetit serb, i cili nuk ka pësuar lëndime.

Top Channel

Share post: