19/04/2026

Subjekti më i vjetër në Kosovë të dielën e 19 nëntorit do ta zgjedh kryetarin e ri.

Deri tani zyrtarisht ka vetëm një kandidat për kryetar, që është Lumir Abdixhiku.

Kandidaturën e ka shpallur edhe ish-deputeti Faton Bislimi, mirëpo nga LDK-ja kanë thënë që nuk janë në dijeni për këtë.

Ndërsa Bislimi për Front Online ka treguar shkresën që sipas tij ia ka dorëzuar kryetarit të tanishëm Lumir Abdixhikut, e sekretarit të partisë, Imri Ahmetit.

Ai madje thotë që ka dhënë dorëheqje edhe nga Kryesia e Këshilli i LDK-së, pasi sipas tij, partia po shkon në rrugë jo të duhur.

Pavarësisht kësaj, Bislimi thotë se statuti ia lejon kandidimin.

“Kam dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i përgjithshëm sepse i kam ndarë rrugët me lidershipin e tanishëm të LDK-së, për shkak te besimit tim se janë duke e çu LDK-në në një rrugë të paduhur. Akti më i lartë juridik i rregullimit të brendshëm të LDK-së është statuti i LDK-së, edhe në njoftimin që e  kam bërë në rrjete sociale, edhe në letrat e shkresat zyrtare që e kam dorëzuar atë ditë para se me shpall publikisht, LDK-së unë ia kam cek nenet respektive të cilat e mundësojnë si në e zeza në të bardhë mundësinë e kandidimit në mënyrën qysh unë e kam shpreh”, deklaroi ai për Front Online.

 

 

Bislimi: Procesin zgjedhor në LDK e kontrollon Abdixhiku, këtë herë të jetë gara fer

 Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Faton Bislimi në një prononcim për Front Online ka thënë se procesin zgjedhor në këtë parti e kontrollon Lumir Abdixhiku.

Por, pavarësisht kësaj, ai nuk do të heq dorë nga kandidatura për kryetar të LDK-së.

“Unë jam i vetëdijshëm që ky proces zgjedhor, brenda LDK-së, ka qenë i kontrolluar nga kryetari aktual, dhe këtë ta vërtetojnë të gjitha degët e Kosovës sepse në asnjërën prej tyre nuk e ke pas as edhe një kundërkandidat ndaj atyre të cilët janë parapërcaktuar nga kryetari aktual. Ka pasur përjashtime, ka pas gjatë gjithë procesit, realisht injorim të njerëzve kyç, aktivisht dhe shumëvjeçar, por përkundër kësaj vullneti im ka qenë që ta bëjnë të paktën në ditën e fundit, që nëse deri tani nuk ka pas garë reale të paktën ashtu siç e përcakton statuti i LDK-së, të jemi në një garë fer, transparente, për të parin e partisë”, u shpreh ai.

 

Bislimi pretendon drejtimin e LDK-së: Partia po shkon në tjetërsim dhe kjo nuk i ndihmon Kosovës

Faton Bislimi, që pretendon të jetë kandidat për kryetar të LDK-së, shprehet i bindur se do ta fitoj këtë pozitë.

Sipas tij, vizionin që ish-Presidenti Rugova e kishte, nuk gjendet te kryetari aktual Lumir Abdixhiku.

“Unë jam më shumë se i bindur që në një garë fer, transparente, dhe ku lihet me vullnetin e lirë të delegatëve për të vendos në kutinë e votimit me votë të fshehtë, zgjedhja mendoj se ka me qenë shumë e lehtë për ata që mendojnë, veprojnë dhe besojnë në LDK-në e vlerave themeltare, dhe idealeve kombëtare të pasuara nga presidenti Rugova, ato nuk i gjen tek Lumir Abdixhiku, ato i gjen tek vizioni i im për LDK-në”, u shpreh ai për Front Online.

Bislimi thotë se në vitet e fundit LDK-ja ka ndryshuar.

“LDK-ja ka ndryshuar, është proces normal ndryshimi, po ndryshimi duhet të jetë në suaza të atyre kornizave të vlerave themeltare, dhe kombëtare për të cilat i ka si parti, fatkeqësia e madhe është që në këto vitet e fundit LDK-ja ka ndryshuar në kuptimin e tjetërsimit dhe ka shku drejt ndryshimit identitar të saj, e kjo nuk i ndihmon Kosovës”, deklaroi ai.

Në zgjedhjet e fundit, Lumir Abdixhiku, u zgjodh kryetar i LDK-së, i cili kishte përballë edhe dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin, Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafën.