Vuçiq doli qesharak duke analizuar bluzën e të riut që vrau tetë persona në Serbi, e keqinterpretoi…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas të shtënave të para masive të mërkurën në Serbi, ku në një shkollë fillore në Beograd u vranë nëntë persona, doli po atë mbrëmje me disa pika që gjoja do t’i propozojë qeverisë.

Të nesërmen, as 12 orë pasi Vuçiq i prezantoi pikat, qeveria i pranoi të gjitha pikat – pa analiza serioze dhe asnjë konsultim publik.

Dhe kjo dukej të ishte një mënyrë mjaft e çuditshme për të marrë vendime – më të ngjashme me regjimet autoritare sesa me demokracitë, siç është Serbia, të paktën në letër – shkruan mediumi kroat Index.hr

Ndërkohë të enjten në mbrëmje ka ndodhur një vrasje tjetër masive në Serbi.

Një 20-vjeçar nga afërsia e Mlladenovcit, vrau tetë dhe plagosi 14 persona.

Autoritetet serbe nxituan në përfundimin se ishte një akt terrorist në të njëjtën mbrëmje. Narrativa u pranua nga mediat dhe përfundimisht nga vetë presidenti Vuçiq.

“Sulmi sonte ishte një sulm terrorist në të cilin njësitë tona kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e ditës. Ai nuk do të lirohet nga burgu”, citon mediumi kroat të ketë thënë Vuçiq në një konferencë për shtyp të premten.

Pavarësisht pretendimit të tij, deri më sot, nuk është e qartë, dhe në mbrëmjen e parë kur sulmi u shpall si terrorist, ishte edhe më pak e qartë se cilat janë qëllimet politike apo ideologjike që mbron 20-vjeçari Urosh Blazhiq.

Veç kësaj, ishte shfaqur një histori e çuditshme për bluzën e vrasësit, e cila ndoshta duhet të vërtetojë qëllimet politike të tij.

Vrasësi u arrestua i veshur me një bluzë blu, në të cilën duket pa asnjë arsye kuptimplotë, vetëm Italia, Franca dhe Spanja.

“Gjenerata 88 në turne”, shkruan në bluzë.

Dhe Vuçiq e interpretoi atë si “mbështetje për Hitlerin”.

Siç vë në pah me tej mediumi kroat, përcjell Telegrafi, numri 88 përdoret me të vërtetë nga neo-nazistët sepse shkronja H është shkronja e tetë në alfabet, kështu që 88 mund të interpretohet si HH – Heil Hitler.

Por pastaj erdhi një shpjegim tjetër, më logjik.

Bluza e veshur nga vrasësi nga Mlladenovaci, të cilën presidenti serb Aleksandar Vuçiq e lidhi me Hitlerin, është në fakt bluza e maturantëve në Sopot, ka thënë Stevan Vlajiq, themelues i lëvizjes “Samo Jako” dhe koordinator i iniciativës “Zeleni presjek”, miku i të cilit krijoi bluzën.

“Është një këmishë që përfaqëson këmishën zyrtare të maturantëve të Shkollës Ekonomike dhe Biznesit nga Sopoti, të cilën e kanë veshur në një ekskursion në Spanjë, Itali dhe Francë në vitin 2006”, ka treguar Vlajiq për Nova.rs.

Thjesht, kur shikohet me kujdes, sipas tij, shihet se në këmishë është vizatuar territori i Spanjës, Italisë dhe Francës, ku u zhvillua ekskursioni.

Gjithashtu, shkruan “Gjenerata 88 në turne” dhe pas saj shkruhet Serbia. /Telegrafi

Share post: