Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia nuk po e respekton marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ajo tha se në më pak se 24 orë, Serbia ka shkelur dy nene të marrëveshjes për normalizim.
Shkelja e parë, sipas saj, u bë përmes ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet e organizuara të dielën në veri të Kosovës. Kjo, tha Presidentja Osmani, përbën shkelje të nenit 2 të marrëveshjes.
Neni 2 i marrëveshjes thotë se “të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.
Është raportuar se presidenti serb Vuçiq si dhe Lista Serbe kanë bërë presione të vazhdueshme e kërcënime ndaj komunitetit serb që të mos dalin në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të mbajtura të dielën në komunat veriore.
Madje, vetë ata bënë thirrje publike që zgjedhjet të bojkotohen. Për këtë, Vuçiqi “sulmoi” edhe komunitetin ndërkombëtar.
Ndërsa si shkelje të dytë të marrëveshjes, Presidentja Vjosa Osmani përmendi votën kundër të Serbisë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilën Komiteti i Ministrave të KiE-së votoi sot (e hënë).
Serbia ishte njëra nga shtatë shtetet anëtare të KiE-së që votoi kundër Kosovës në këtë organizatë.
Osmani tha se me këtë veprim, Serbia shkeli nenin 4 të marrëveshjes, ku thuhet se “palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
“Marrëveshje e re, e njëjta Serbia e vjetër”, tha Presidentja Osmani.