Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të dielën në lagjen Sofali në Prishtinë. Këtë herë, një 26-vjeçar përfundoi në Polici pasi dikush e denoncoi për të shtëna me armë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se si rezultat i raportimit të rastit, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku e kanë gjetur të riun, i cili dyshohet se kishte shtënë me armë me gaz pasi kishte një “festë”.
“I kanë rreh me armaturë gjashtëshe”, “Kush e ka vra LDK-në” – nxehet deba…
Sinjali mëson se arsyeja e gjuajtjes me armë, sipas të dyshuarit, ka qenë vendimi i të dashurës së tij për t’u martuar me të. Pranimi i propozimit për të kurorëzuar dashurinë e ka shtyrë të riun pa një pa dy që ta shkrep armën në shtëpinë e tij.
Arma që dyshohet se e ka mbajtur pa autorizim është sekuestruar nga ana e Policisë, së bashku me dhjetëra fishekë, kurse i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’.