14/07/2024

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur edhe për nisjen e procesin gjyqësor ndaj ish-Krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili pritet të nis që sot, për çka tha se ata luftuan kundër spastrimit etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Në një intervistë për RTSH-në nga Italia, Rama tha se ata po mbahen padrejtësisht prapa hekurave dhe shtroi pyetjen se mbase edhe heroit më të admiruar të kohëve të fundit, presidnetit ukrainas, Volodymyr Zelensky-it mund t’i ndodh një gjë e tillë në të ardhmen.

“Ka diçka shumë të madhe që nuk shkon me këtë proces. Mbetem i mahnitur në sensin më negativ nga fakti që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizje çlirimtare popullore, jo i një ushtrie të organizuar, por i një rebelimi ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë, akuzohen si kriminelë lufte”.

“Njeri që vetë presidenti i SHBA dhe deri dje një nga figurat kryesore të senatit amerikan, Joe Biden e pagëzoi si George Washington i Kosovës, është sot parapa hekurave. I mbyllur brenda pa akuzë, gjë që është jashtë çdo lloj imagjinate në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe kombëtare dhe mua më bën të mendoj mos vallë ky duhet të jetë fati i Presidentit Zelensky pas disa vitesh? Një ditë mund ta shohim këtë hero që të gjithë e admirojmë, prapa hekurave”, tha Rama.

“Ajo që po kalojnë ata është diçka që mund ta përkufizoja me fjalën e tmerrshme, pro nga ana tjetër kanë sfiduar sensin e përgjithshëm edhe më parë, e kanë sfiduar në një mënyrë shumë ekstreme kur kanë menduar të veprojnë për të pavarësuar Kosovën atëherë kur askush nuk e qaste fare si ide. Diçka heroike që sot shumëkush e harron dhe nuk janë të gjithë ata që e mendojnë sot se pa Hashim Thaçin dhe ata që janë atje, sot askush nga ata që i japin gojës pa fre, nuk do kishin gojë fare sepse nuk do i linte njeri të hapnin gojën. Kjo betejë është e barabartë me betejën me armikun atëherë, edhe pse kjo është tjetër gjë se është betejë me mikun”, u shpreh Rama.