14/07/2024

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në fjalimin e tij para opinionit në Beograd ka shpjeguar se pse dje në Ohër nuk e nënshkroi Marrëveshjen dhe Aneksin zbatues për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, duke shtuar se Serbia është e gatshme që të punojë në zbatimin e saj deri në vijat e kuqe, informon korrespondenti i MIA-s në Beograd.

Ai lexoi Aneksin zbatues të Marrëveshjes dhe theksoi se me të “Serbia nuk do të varet më nga vullneti i mirë i Prishtinës, që është ndryshim pozitiv, por edhe nga vetë ne nga ajo që jemi të gatshëm të bëjmë kur bëhet fjalë për rrugën evropiane”.

Më pas ai ka shpjeguar se pse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen.
“Së pari, sepse Republika e Serbisë është vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa e ashtuquajturaKosova nuk është. Nuk dua të lidh marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën”, deklaroi Vuçiqi.

Duke shpjeguar të drejtat ndërkombëtare, veçanërisht Konventën e Vjenës, tha se deklaratat e tij janë të detyrueshme për Marrëveshjen dhe se “Serbia është e gatshme të punojë në zbatimin e asaj që është dakorduar deri në vijat e saja të kuqe, e ato janë se nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe anëtarësim në KB”.

“Ne e pranojmë konceptin, do të punojmë në zbatimin dhe ne jemi shumë më të gatshëm se dikush në Prishtinë i cili është i gatshëm të nënshkruajë, sepse ajo do të rezultonte me një detyrim formalo- juridik që Serbia të pajtohet me pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiqi.

Siç tha ai, dje në Ohër, 12 herë është ndryshuar teksti i Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes dhe se është e rëndësishme që në Marrëveshje përmendet “në pajtim me gjithçka që është rënë dakord në procesin e dialogut, ndërsa ato janë marrëveshjet e nënshkruara për AKS-në”.