Takimi i Ohrit – Ja programi i takimeve

Vuçiç pesimist për marrëveshjen

Të Shtunën takimet e Kurtit dhe Vuçiçit në Ohër do të nisin fillimisht ndarasi orën 10:00 me përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së dhe më pas te tavolina e përbashkët.

Sipas asaj që ka mësuar Tv Klan News në tavolinë është finalizimi i Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Vuçiç tha para nisjes për në Ohër se normalizimi është jo një eufemizëm për njohjen e Kosovës de facto ose de jure.

“Ende nuk e kemi marrë draftin se çfarë kërkon BE-ja. Kam punuar tre ditë për këtë çështje. Ne kemi paraqitur propozimin tonë dhe shqiptarët kanë paraqitur propozimet e tyre. Dokumentat që publikuan shqiptarët janë lista e dëshirave të tyre që ata i dorëzuan BE-së se si do të donin të dukej marrëveshja e zbatimit.”

Normalizimin e marredhënieve me Kosovën Vuçiç e konsideroi të nevojshëm për raporte më të mira bashkëpunimi me shqiptarët sesa sot.

“Ne do të bëjmë çmos që të ruajmë paqen dhe të shkojmë drejt një mirëkuptimi më të mirë me shqiptarët, duke mbrojtur interesat tona jetike kombëtare. Të respektojmë fenë, traditat, të mund të zhvillojmë punën dhe biznesin mes nesh. Nuk është një ditë fatale në Ohër. Unë do të përpiqem që të bëj më të mirën për Serbinë dhe të vazhdoj që të punoj për normalizimin e marrëdhënieve në rajon.”

Vuçiç ka thënë se marrëveshja për themelimin e bashkësise së komunave duhet të përmbushet, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për serbët në Kosovë.

Klan News

Share post: