03/10/2024

Eralda Spahillari, 19-vjeçarja që humbi jetën në aksidentin tragjik në Itali është përcjellë në banesën e fundit. Të shtunën u zhvillua ceremonia mortore e të resë.

Trishtimi dhe dhimbja janë pak për të përshkruar atë që po përjetojnë të afërmit e saj. “Një arkivol i bardhë me tufa me lule të bardha, të sinqerta. Lotët e prindërve, të vëllait e motrës, të të afërmve, të shokëve të klasës, të miqve të saj”, shkruan Treviso Today.

Më shumë se 600 persona ishin mbledhur për t’i dhënë Eraldës lamtumirën e fundit. Një ritual laik, ku familja donte të përshkruante vajzën që e donin aq shumë.

Ndjekur më pas nga dedikimet e shokëve të klasës, një mësuese dhe në fund foli kryetarja e Ponte di Piave, Paola Rome. Të pranishëm në funeral ishin edhe prindërit e Mikele Tatanit, të fejuarit të Eraldës, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Ai ishte në drejtimin e BMW që u përplas me pemën. Për pasojë humbi jetën Eralda dhe Barbara Brotto, 17 vjeçe. I trishtë ishte edhe momenti kur para nisjes së kortezhit të afërmit lëshuan në ajër disa tollumbaca të bardhë./tvklan.al