Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka treguar se dje me delegacionin që kanë udhëtuar kanë takuar në Washington senatorë amerikanë, të cilët i kanë njoftuar për problematikat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Kamberi në një video të publikuar në Facebook, ka thënë se “kanë kërkuar nga zyrat e senatorëve që çështja e shqiptarëve të Luginës të jetë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së, e të jetë edhe pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kamberi ka thënë se është ngjarje historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi për herë të parë po “mbahet briefing i iniciuar nga Komiteti për Politikë të Jashtme enkas për shqiptarët”.
“Sot patëm një brifing në zyrat e senatorëve Ernst e Peters, në të cilin diskutuam për çështjen e problematikat e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kërkesën për ndërtimin e një raporti simetrie sa i përket respektimit të të drejtave të komuniteteve në Ballkan Perëndimor. Theksuam problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginë, si mungesën e pjesëmarrjes adekuate në institucione shtetërore, pasivizimin e adresave, mosnjohja e diplomave, moszhvillimi ekonomik i rajonit, e temat që kanë të bëjnë me të drejtat tona kolektive. Duke kërkuar nga zyrat e senatorëve të nderuar që çështja e shqiptarëve të Luginës të jetë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së, e të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që të trajtohen të gjitha çështjet problematike që do të rëndojnë të ardhmen raportet mes dy shteteve”, ka thënë Kamberi.