20/04/2026

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që të caktohet paraburgim për të dyshuarin për laboratorin e drogës në Leposaviq, i cili u zbulua nga policia javën e kaluar.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin M.D., pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale ‘Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’ nga neni 268 lidhur me nenin 31 e 275, dhe ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ nga neni 272 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

“I dyshuari, prej datës së pacaktuar e deri me datë 21 shkurt 2024, në shtëpinë e tij në fshatin Banje të Leposaviq, pa autorizim ka prodhuar, kultivuar, përpunuar dhe nxjerrë ose përgatitur substanca preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që i dyshuari në shtëpinë e tij i ka përshtatur një dhomë në laborator duke shfrytëzuar aparatura të llojeve të ndryshme ku ka arritur që të kultivojë dhe prodhojë bimë të ndryshme narkotike”.

“Gjatë kontrollit nga policia në shtëpinë e të dyshuarit, në dhomën e përshtatur si laborator janë gjetur njëzet e pesë (25) saksi të mbjella me bimë të dyshuara të kanabisit me gjatësi 75.150 cm, llamba elektrike me nxemje elektrike, nxehëse që mban temperaturë konstante, foli alumini me të cilin ishte mbuluar dhoma dhe preparate për kultivimin e bimëve narkotike”. (politiko.mk)

SHARE.