19/04/2026

Vendi ku Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile është mbushur me pjesëtarë të policisë, për shkak të një proteste të PSD-së e të cilës i janë bashkuar edhe disa pjesëtarë të OVL-UÇK-së.

Në këtë protestë është hedhur edhe gaz lotsjellës.

Sipas pamjeve nga vendi i ngjarjes, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe disa aktivistë tjerë të partisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në pamje shihet se i arrestuar është edhe Nol Nushi.

Për arrestimin e Molliqajt dhe të tjerëve ka njoftuar edhe PSD-ja. Ata kanë kërkuar që “urgjentisht të lirohen” 6 aktivistët e saj.

“Në kundërshtim të Gjykatës Speciale, gjatë protstës së PSD janë arrestuar gjashtë aktivistë: Kryetari Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi. Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speiciale. Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezictenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë!”, thuhet në reagim.