

Memli Krasniqi, lideri i PDK-së ka shprehur pakënaqësinë e tij pas lajmit se Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë procesin e regjistrimit të popullsisë deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka akuzuar direkt kryeministrin Albin Kurti, për vonesat e qëllimshme të procesit.
“Pavarësisht paralajmërimeve të hershme se regjistrimi nuk do të kryhet këtë vit, tashmë është e qartë se kjo shtyrje ishte një manovër e vetë kryeministrit Kurti,” shkroi Krasniqi.
Shtyrjen e regjistrimit për të tretën herë, Krasniqi e ka konsideruar si inkompetencë, shkelje të ligjit, interferenca politike dhe maskimin e të dhënave reale, të cilat sipas tij janë bërë pjesë e Qeverisë aktuale dhe të procesit të regjistrimit që nga fillimi.
Ndërkohë, Kurti ka deklaruar se ka marrë garanci nga drejtuesit e rinj të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për përfundimin e procesit të regjistrimit brenda periudhës nga 5 prilli deri më 17 maj të vitit 2024.
Ai gjithashtu ka atribuar vonesën e regjistrimit të popullsisë në marrjen e detyrës nga menaxhmenti i mëparshëm i ASK-së.
