26/04/2025

0:52 – Incidenti në Runik, njëri është plagosur në shputën e këmbës

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë në Qendren Klinike dhe Universitare Gani Jashanica, ka dhënë detaje rreth gjendjes së të plagosurve nga incidenti me armë zjarri në Runik të Skenderajt.

Jashanica tha për Klankosova.tv njëri nga të plagosurit ndodhet në ortopedi dhe ka plagë në shputë nga arma e zjarrit.

“Gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën”, tha Jashanica për Klankosova.tv

Ai bëri të ditur se gjendjen stabile e kanë edhe dy të plagosurit të tjerë njëri nga ta që ndodhet Klinikën Intensive ndërsa tjetri në emergjencë, në QKUK.

______________________________________________________________________________________________________

10:36 – I vrari në Runik është djali i pronarit të kafeterisë

Një i vrarë dhe tre të plagosur është bilanci i një incidenti me armë që ka ndodhur në fshatin Runik të Skenderajt, mesnatën e së mëkurës.

Si pasojë dyshohet se dy persona të maskuar kishin hyrë në kafeteri dhe kishin gjuajtur.

I vdekur ka mbetur 39-vjeçari N.L.

Klan Kosova merr vesh se viktima është djali i pronarit të lokalit.

Si pasojë e plagëve të marra, tre persona po trajtohen në QKUK.

_____________________________________________________________________________________________________

10:10 – Si është gjendja e dy të plagosurve të tjerë në Runik?, flasin nga QKUK-ja

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, tha për Klankosova.tv se gjendja e dy personave të tjerë të plagosur në Runik të Skënderajt është stabile.

“Ata janë transferuar në Klinikën e Ortopedisë”, tha Syla për Klankosova.tv

Si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit, i vdekur ka mbetur një 39-vjeçar e po ashtu tre persona ishin plagosur.

Derisa si pasojë e plagëve të rënda, njërit prej të plagosurve i është amputuar këmba.

______________________________________________________________________________________________________

09:40 – Rasti në Runik të Skenderajt: 32-vjeçarit iu amputohet këmba

Një i vrarë e tre të plagosur është bilanci i incidentit me armë zjarri, që ndodhi mesnatën e së mërkurë në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt.

Tre nga të plagosurit janë dërguar për trajtim në Qendren Klinike dhe Universitare të Kosovës, derisa njëri po merr trajtim në Mjekësinë Intensive.

Lidhur me gjendjen e këtij të fundit detaje për Klankosova.tv ka dhënë Shaqir Uka, shefi i këtij reparti.

Ai tha se të plagosurit që po merr trajtim në MIQ, është dashur t’i amputohet këmba.

“Intervenimi është kryer në orët e hershme të mëngjesit. Ka qenë në gjendje më të rëndë, i plagosur nga arma e zjarrit në regjionin e nëngjurit, në këmbën e djathtë. Ka qenë lëndim shumë i madh i kockave,i muskujve, i enëve të gjakut. Dhe kjo ka qenë arsyetimi për intervenim kirugjik . Nga ekzaminimi që është bërë dhe gjatë intervenimit kirugjik është parë që pjesa e nëngjurin të këmbës të djathtë, është dashur të amputohet si shkak i dëmtimeve të paripaurueshme”, tha ai.

Klan Kosova mëson se pacienti është i moshës 32 vjeçare, i lindur në vitin 1991.

______________________________________________________________________________________________________

09:15 – Vrasja në Runik të Skenderajt: Persona të maskuar gjuajtën me armë zjarri brenda kafiterisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesnatën e së mërkurës në Rubik të Skenderajt.

Si pasojë një person ka mbetur i vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur.

Lidhur me rastin detaje ka dhënë policia.

Zëdhënësi për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti, tha për Klankosova.tv se dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Ai tha se ata janë larguar në drejtim të panjohur.

“Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, tha Zahiti për Klankosova.tv.

Një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, mesnatën e së mëkurës në një kafeteri në Runik të Skenderajt.

Lajmin për Klankosova.tv e ka bërë të ditur Avni Zahiti, zëdhënës i policisë për rajonin e Skenderajt.

Ai tha se viktima është N.L 39 vjeç, derisa tre të plagosurit janë dërguar për trajtim në QKUK.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, tha Zahiti.

“Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, theksoi ai.