
Brenda tri ditëve në Kosovë ndodhën dy vrasje të rënda nga armët e zjarrit. Njëra vrasje ndodhi në një lokal në Prishtinë dhe tjetra në një lokal në Klinë. Të plagosurit ndërruan jetë pasi u dërguan për tretman në spital.
Në vrasjen që ndodhi në lokalin në Prishtinë, pësuan edhe disa qytetarë që ishin në ambientin ku ndodhi përleshja e armatosur.
Njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë së institucionet duhet të bëjnë më shumë për sigurinë publike.
Drizan Shala, ekspert i sigurisë, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka konstatuar se situata ka dalë jashtë kontrollit.
“Sa i përket çështjes së sigurisë publike në Kosovë, tani mund të themi që kjo situatë ka dalë nga suazat e normales. Menaxhmenti i Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, do të duhej të ndërmarrin masa radikale për ta rikthyer gjendjen e sigurisë publike në suaza të normales, sepse është vërejtur që neglizhenca institucionale qoftë nga Prokuroria, qoftë nga Gjykata, qoftë nga Policia. Këtë po e dëshmon fakti që grupe kriminale po mund të lëvizin lirshëm dhe janë duke i terrorizuar qytetarët e rëndomtë të Republikës së Kosovës”, ka pohuar ai.
Sipas Shalës, për zhvillimet e fundi do të duhej të ndodhnin disa shkarkime.
“Pra, mbi këtë bazë, mbi këto zhvillimet e fundit do të duhej të kemi një shkarkim në nivelin operacionat të Policisë së Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor. Do të duhej të kemi një dorëheqje nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës dhe ministri i Punëve të Brendshme. Meqenëse qytetarët e Kosovës për gjatë këtyre viteve 2021-2023 kanë dëshmuar se nuk përkujdesje të duhur, meqenëse pjesa më e madhe e Policisë së Kosovës është e angazhuar në planin operativ në pjesën veriore, dhe pjesa e sigurisë në pjesën tjetër ka mbetur nën hije të zhvillimeve në veri”, theksoi mes tjerash ai.
Shala tha se shkak i këtyre përleshjeve janë edhe armëmbajtja pa leje, ku siç tha ai, sipas disa statistikave në Kosovë janë mbi 250 mijë armë ilegale.