21/04/2026

“Ky është sundimi i ligjit.” – ishin fjalët e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde pas vendimit të Gjykatës Komeraciale për të vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për pezullimin e certifikatës së biznesit të mediumit “Klan Kosova”. Por, një gjë e tillë duket se nuk u prit mirë nga disa përdorues në rrjetin social Twitter, të cilët më pas sulmuan ambasadorin e një prej shteteve aleate të vendit.

Gjatë ditës së sotme përmes një njoftimi Gjykata Komerciale konfirmoi se e ka aprovuar kërkesën e mediumit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve në lidhje me rastin e saj.

“APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k. për shtyrjen e ekzekutivimit të vendimeve.” – shkruhej në pikën e parë të Aktvendimit.

Ambasadori merr reagime në rrjete sociale

Opinioni publik e mirëpriti një vendim të tillë, duke përfshirë edhe Qendrën Evropiane për Lirinë e Medias, të cilët deklaruan se ky vendim mbron pluralizmin e medias.

Më pas, i njëjti u shpërnda edhe nga ambasadori gjerman, i cili deklaroi se “ky është sundimi i ligjit”.

Por komentet e disa qytetarëve poshtë postimit janë skandaloze, madje kishte të tillë që pretenduan se ambasadori është korruptuar.

Disa prej komentuesve, e krahasuan situatën me atë në veri, duke thënë se nuk pati reagim të njëjtë për “sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit”.

“Sundim i ligjit? Një biznes serb duke pretenduar që të jetë media kosovare.” – shkroi një komentues.

“Kjo është çfarë mund të bëjë paraja, mund ta ndryshojë drejtimin e një lumi.” – tha dikush tjetër.

“E dimë të gjithë tani sa i korruptuar je – është një koment tjetër.

Ndërsa, një përdorues i Twitterit ka thënë: “Vetëm kur nuk është në veri të vendit, apo jo?”

Ambasadorin e pyetën edhe nëse “e ka idenë për çfarë po flet”, përkundër se ai kishte bërë thirrje disa herë për nëj proces sa më transparent në këtë rast dhe mbrojtjen e lirisë së mediave.

Vendimi

Për Qeverinë e Kosovës, “Klan Kosova” të mbyllet. Fatmirësisht, Gjykata Komerciali vendosi që t’ia pranojë ankesën këtij mediumi.

Në akt-vendim, mes tjerash përmendet se si “Klan Kosova” është një “ndër ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuale me mbulimin më të madh në Kosovë dhe e licencuar pranë Komisionit të Pavarur për Media, si dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në fushën e mediave me rreth 220 të punësuar dhe qindra bashkëpunëtorë komercialë, andaj ekzekutimi i vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit paditësit do t’i shkaktonte dëm vështirë të riparueshëm…”

Por veç kësaj, në akt-vendim demantohet Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e drejtuar nga Rozeta Hajdari, e cila pretendonte se mediumi s’i ka ndryshuar të dhënat.

“Gjykata gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se paditësi ka bërë përmirësimet e nevojshme në shoqërinë tregtare të regjistruar në Maqedoninë e Veriut…” – thuhet mes tjerash në akt-vendim.

Pra, Klan Kosova tash ka një Certifikatë të Regjistrimit që tregon se Klan Kosova është shoqëri tregtare e regjistruar në Kosovë, ku në adresë i shkruan “Pejë, Kosovë” dhe pronarit K. G. i shkruan “Gjakovë, Kosovë”.