09/11/2024

Veterineri Rami Selmani thotë se në Tetovë tash për tash qentë janë një rrezik potencial, pasi që të njëjtët nuk janë të vaksinuar edhe trajtuar

Urim HASIPI
Rrugët e qytetit të Tetovës vlojnë nga qentë endacak. Edhe pse kjo dukuri nuk është e re në rrugët e Tetovës, megjithatë ditëve të fundit janë shtuar shqetësimet e banorëve për tufa të mëdha të qenve. Komuna e Tetovës edhe pse vitin e kaluar kishte lidhur kontratë për trajtimin e qenve endacak me shoqatën “Amos”, megjithatë një hap i tillë nuk dha efekte te mëdha.

Nga komuna e Tetovës pohojnë se kontrata me këtë shoqatë ka përfunduar dhe tash nuk ka se kush të trajtojë qentë endacak, kurse në anën tjetër qytetarët janë të tmerruar nga prezenca e madhe e qenve në rrugët e Tetovës. Kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi është shprehur se ka patur të interesuar që me këtë problem të merret një shoqatë nga jashtë vendit por edhe ajo është tërhequr. Nuk ka asnjë informacion se deri ku është procedura për ndërtimin e strehimores në komunën e Vrapçishtit. “Kemi patur marrëveshje me një shoqatë dhe u përfundua ajo marrëveshje. Ka dhëne efekte por jo edhe të kënaqshme, kemi pasur disa efekte të mira por jo edhe komplet procesi i zgjidhjes së problemit me qentë endacak. Vazhdon të jetë një problem që tangon vite me radhë qytetin e Tetovës dhe jo vetëm. Kemi biseduar me institucionet që janë në nivel qendror dhe do të ndërmarrim hapa edhe pse kishim të interesuar një shoqatë nga vendet e huaja por ajo është tërhequr pa dhënë sqarim. Do të vazhdojmë të komunikojmë me institucionet që janë në nivel qendror dhe do të sjellim konkluzat”, deklaroi, Besar Durmishi.

Veterineri Rami Selmani thotë se në Tetovë tash për tash qentë janë një rrezik potencial, pasi që të njëjtët nuk janë të vaksinuar edhe trajtuar. Sipas tij, ata janë agresivë edhe rrezik, ndërsa mënyra më e mirë është që të njëjtët të trajtohen 12 muaj, duke u kastruar vaksinuar edhe vendosjen e çipëve. “Nëse nuk merren masa pa ndërprerë edhe të ketë një buxhet të arsyeshëm për këtë punë , përndryshe do të ketë shumë kafshime ë Tetovë pasi që edhe qëndrojnë në tufë edhe kjo bën një rrezik të madh për qytetarët. Të paktën duhet vaksinohen , pra me vaksinë kundër tërbimit, të streliziohen, kastrohen edhe e përsëris përsëri duhet të lëshohen në të njëjtin vend“, tha Rami Selmani, veteriner.

Komuna e Tetovës ka paguar shoqatën “Amos” me 300 euro për një qen që zënë në Tetovë, ndërsa në kontratë ka qenë e paraparë që të zihen 82 qen. Por edhe përkundër kësaj në Tetovë numri i qenve nuk është ulur. Pas përfundimit të kontratës me shoqatën “Amos”, tashmë ka mbetur vetëm komisioni komunal tek i cili denoncohen rastet e kafshimit të qytetarëve nga qentë endacak, ndërsa për trajtim të tyre në teren nuk ka askush të angazhuar. Nga ana tjetër, nga policia njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar dy raste të kafshimit nga qentë endacak në rajonin e Pollogut. Njëri ka ndodhur në Tetovë, kur një 42 vjeçare ka denoncuar se në Tetovë djali i saj i mitur është kafshuar nga një qen endacak. Rasti tjetër ka ndodhur në Gostivar, kur një 27 vjeçar në një rrugë të këtij qyteti është kafshuar nga qeni endacak. (koha.mk)