18/07/2024

Kryetarja e bashkisë në detyrë dhe njëherazi kandidatja e PS-së për zgjedhjet e 14 majit, Emiriana Sako ka deklaruar se projekti për Amfiteatrin dhe Portin e Durrësit janë dy projekte madhore të qeverisë shqiptare që do të realizohen në Durrës, përmes bashkëpunimit me Fondin Amerikan të Zhvillimit dhe “Emaar Group”.

E ftuar në emisionin “Top Story”, Sako shpjegon se ndryshe nga kjo, ndër detyrat e kryetarit të Bashkisë është t’i japë pastrim, gjelbërim dhe ndriçim qytetit, dhe në këtë pikë Durrësi është një qytet dinamik i cili ka ndryshuar për mirë.
“E ardhmja e qytetit të Durrësit do të jetë zona e Durrësit të Ri, zona e Porto Romanos, të cilat janë zona me një projeksion ekonomik dhe industrial, me prezencën e Portit të Madh të Porto Romanos. Edhe zona e Ishmit, e cila është një zonë me një atraksion të ri turistik, është një zonë që ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Ka monumente të rëndësishme historike, por ka edhe plazhe shumë të mira“- thotë Sako.

Pjesë nga debati:

Duma: Juve si arkitekte, si urbaniste a ju pëlqen Dubai në Durrës? Dhe na qartësoni pak, zona e vjetër e qytetit si do të trajtohet? Çfarë do të ndodhë me Portin e Durrësit, do të kemi vetëm kollona dhe gradaçela? Çfarë do të bëhet me pjesën e amfiteatrit, me pjesën historike, me kalldrëmet e Durrësit?

Sako: Janë dy gjëra të ndryshme dhe të ndara nga njera-tjetra. Janë dy projekte madhore të të qeverisë shqiptare.Kur fusim në program prezantimin e projekteve madhore me qeverinë, na thuhet që “shiko, këto sjanë gjërat që bëni ju, por na tregoni çfarë mund të bëni ju”.

Detyrat e kryetarit të bashkisë këto janë, që të japë shërbimet bazike si fillim, pra pastrim, gjelbërim dhe ndriçim qytetit. Durrësi është një qytet që ka ndryshuar, është një qytet dinamik, rritet numri i popullsisë. Sot jemi rreth 330 mijë banor, pas një reforme territoriale të 2015-ës që solli me vete edhe problemet e njësive administrative, mendoj që në qytetin e Durrësit ka vend për zhvillim.

Qendra e qytetit është e formuar tashmë dhe nuk ka më vend për të konceptuar ndërhyrje. Por e ardhmja e qytetit të Durrësit do të jetë zona e Durrësit të Ri, zona e Porto Romanos, të cilat janë zona me një projeksion ekonomik dhe industrial, me prezencën e Portit të Madh të Porto Romanos. Edhe zona e Ishmit, e cila është një zonë me një atraksion të ri turistik, është një zonë që ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Ka monumente të rëndësishme historike, por ka edhe plazhe shumë të mira.

Sa i takon projekteve të Amfiteatrit dhe të Portit të Durrësit, janë dy projekte madhore të qeverisë shqiptare. Projekti i Amfiteatrit është një projekt në bashkëpunim me Fondin Amerikan për Zhvillim, ku është konceptuar hapja e plotë e arenës së Amfiteatrit, pra heqja e atyre banesave që ndodhen brenda hapësirës së Amfiteatrit sot. Tashmë ne kemi bërë shpronësimet për një pjesë të atyre shtëpive dhe sapo ka filluar puna me arkeologët.

Ky është një projekt i gjatë dhe ka faza të ndryshme sepse parashikohet që gjithë arena të pastrohet nga objektet. Këto pronarë do të shpronësohen. Pra, nuk do të degdisen sikurse thotë opozita, por do të shpronësohen me referencat e hipotekës.

Pra do të kemi rehabilitimin e të gjithë objekteve që janë në qendër të kryeqytetit. Pak a shumë siç është Vlora, siç është projekti i rehabilituar në qendër të Vlorës këto pritshmëri kemi edhe nga këtu.

Nga ana tjetër, projekti i Portit është një projekt shumë ambicioz i qeverisë shqiptare dhe falë Zotit është zgjedhur Durrësi si qytet. Ka një potencial shumë të madh. Kjo do të thotë që ne kemi një klimë shumë të mirë përsa i takon biznesit që të vendosin emrin e tyre firma kaq të rëndësishme siç është “Emaari”./ Top Channel