Krejt çfarë duhet të dini për takimin e sotëm të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet që sot më 2 maj të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Ky pritet të jetë takimi më i rëndësishëm i nivelit të lartë politik. Tashmë edhe dy temat që do diskutohen janë bërë publike, deklarata për të pagjeturit dhe prezantimi i draft-statutit të Asociacionit.

Çka dihet?

Ky takim është i pari që nga ai i 27 shkurt ku palët u pajtuan me marrëveshjen dhe ai i 18 marsit kur, Kurti dhe Vuçiq u pajtuan me aneksin e zbatimit të marrëeveshjes.

Siç ka bërë të ditur Bashkimi Evropian, në orën 18:00, kryediplomati i BE-së, Josep Borell bashkë me të dërguarin e special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të mbajnë takim të përbashkët me Kurtin dhe Vuçiqin.

“Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të mbajë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.” – thuhet në njoftim.

Kurti të hënën ka udhëtuar për në Bruksel, ndërsa mbrëmë ka publikuar edhe një fotografi bashkë me ekipin e tij.

“Në Bruksel duke u përgatitur për takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut i cili do të zhvillohet nesër.”- ka shkruar Kurti.

Çka tha Kurti para takimit?

Para këtij takimi, Kurti ka thënë se është i lumtur të shohë se çfarë drafti është punuar edhe pse ai ka theksuar se ky draft do të ishte më mirë që t’i prezantohej fillimisht në Prishtinë.

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shohë se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që ajo që është rënë dakord tashmë më shkurt 27 në Bruksel është përmbushur ekzistimi i një niveli të duhur të vetëmenaxhimit të komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve.” – ka thënë ai.

Kurti ka thënë se “pika fillestare” e këtij takimi do të jetë deklarata për të pagjeturit.

“…duhet një deklaratë e përbashkët si pikënisje për një takim të nivelit të lartë.” – ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti ka deklaruar se nuk do të lejojë që në veri të Kosovës të ketë Republika Sërpska.

Para këtij takimi, Kurti është telefonuar edhe nga Këshilltari i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Chollet ka thënë se temë diskutimi me Kurtin ka qenë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe partneriteti i fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurtin për takimin e liderëve të 2 majit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë.” – ka shkruar ai në Twitter.

Ndërsa, Kurti për bisedën me Chollet ka thënë se kanë biseduar për agjendën e takimit të sotëm dhe rëndësinë që marrëveshja të zbatohet.

“Patëm një telefonatë të mirë me Chollet sot, ku diskutuam axhendën e takimit të nesërm. Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e SHBA-së.” – ka shkruar Kurti në Twitter.

Kujtojmë se, në Kosovë, partitë opozitare e kanë kritikuar Kurtin për marrëveshjen e Ohrit dhe për planin e zbatimit të saj.

Share post: