14/07/2024

Ragip Xhaka e ka shfrytëzuar qëndrimin e fundit të tij në Kosovë për ta bërë një vizitë të veçantë.

Baba i futbollistëve kosovarë, Taulant dhe Granit Xhaka, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e kanë vizituar babanë e Hashim Thaçit në Burojë.

Lladrovci e ka bërë një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit ka njoftuar se baba i Xhakave e ka thirr në telefon dhe i ka kërkuar që bashkërisht të shkojnë në familjen Thaçi.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e Ramiz Lladrovcit në llogarinë e tij në Instagram.

“Kur jam dëgjuar me mikun tim Ragipin se do të jetë në Kosovë, e para që më ka thënë ishte se do të dëshironte ta vizitojmë bashkë Haxhi Thaçin në Burojë, Babën e ish presidentit Thaçi.

Sot, me kryetarin e Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhakën dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Shaip Kadriaj dhe shokë, shkuam për vizitë te Baca Haxhi në Burojë ku na priti sipas traditës, në odë.

Baca Haxhi përkundër viteve që bart në shpatullat e tij, bart edhe brengën e padrejtësisë, brengën e Kosovës, brengën e vendimit për luftën e UÇK-së, për fatin e birit të tij, Hashimit dhe të tjerëve, heronj të luftës dhe paqes.

Mërgata ka qenë fuqia jonë morale, ushtarake e financiare për çlirim, me bijat e bijtë më të mirë që rreshtoheshin në UÇK dhe ishin gati të flijoheshin për lirinë e Kosovës. Sot, mërgata është burim i mirëqenies së shumë familjeve.

Ragipi dhe Shaipi theksuan se mërgata i ndjen zhvillimet në atdhe, vuajtjet dhe padrejtësitë që shkaktohen, në veçanti nga një gjyq që synon të rishkruaj historinë.

Ata po ashtu, shprehën solidaritet me dhimbjen që i është shkaktuar Bacës Haxhi dhe të gjitha familjeve që i kanë më të dashurit në betejën e fundit për të vërtetën e UÇK-së dhe luftën e drejtë të saj.”