Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku – Rexhepi, ka thënë se zgjedhjet në veri duhet të mbahen dhe se situata e krijuar tashmë atje është shkaktuar nga qeveria që është në pushtet.
Bunjaku – Rexhepi në një intervistë për EO ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të moskoordinimit me aleatët ndërkombëtarë.
Ajo tha se zgjedhjet e se dielës duhet të mbahen, pasi sipas saj Kosova është shtet sovran dhe duhet ta shtrijë sovranitetin e saj në çdo pjesë të territorit.
“Realisht këto zgjedhje i ka shkaktuar vetë qeveria e Kosovës, sepse nuk është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë dhe normalisht se zgjedhjet duhet që të mbahen, jemi Republikë, shtet sovran dhe duhet ta shtrijmë sovranitetin tonë në gjithë territorin e Kosovës edhe ajo pjesë është Kosovë në këtë rast përgjegjësia është e qeverisë”, ka thënë ajo.Bunjaku – Rexhepi u bëri thirrje që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Unë mendoj që zgjedhjet duhet që të mbahen dhe i ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë sa më shumë në zgjedhje, sepse kjo kauzë e krijuar tani nga kjo Qeveri pa bashkëpunim me aleatët tanë e ka dëmtuar Kosovën”, ka vijuar ajo.
Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit janë caktuar të mbahen më 23 prill.