17/07/2024

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë se me ndryshimet në Ligjin e tatimit në pronë “do t’i bëjë lëmsh komunat”.

Sipas Hotit, ndryshimet e ligjit do të kenë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave.

“Sot shqyrtohet në Komisionin për Buxhet projektligji për ndryshimin/plotësimin e Ligjit të Tatimit në Pronë. Ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat. Ligji që është në fuqi është punuar gjatë me ekspertë suedez të mbështetur nga qeveria suedeze dhe i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për administrim të tatimit në pronë. Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Ai e ka cilësuar këtë qasje të Qeverisë si “tepër të keqe”. Ka akuzuar Qeverinë për mungesë serioziteti dhe profesionalizmi.

“Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë”, ka thënë Hoti.

Kur Qeveria pati miratuar këto ndryshime, pati thënë se ligji ka për qëllim të sigurojë ““progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësorë dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit”.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se projektligji parasheh që tatimpaguesit të mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro, apo sa lartësia e faturës.