18/07/2024

Gjykata Themelore në Pejë e la në burg këtë të shtunë Urim Hysenin. Ai dyshohet se një natë më parë vrau nënën e tij, Hyrije Broqi-Hyseni, duke i prerë kokën me thikë.

Klankosova.tv ka siguruar dosjen e gjykatës, ku mes të tjerash zbulohet edhe se çfarë i tha autori i dyshuar pas krimit të rëndë, ekspertit të gjykatës, Dr. Nysret Pepajt. Kështu, Hyseni mësohet të ketë deklaruar se “ndodhin këto raste, kanë ndodh edhe më përpara dhe nuk kemi çka të bëjmë tash”.
Më tej, në dosjen e gjykatës bëhet e ditur se i dyshuari, pasi e ka vrarë nënën tij 58-vjeçarje, sulmoi me thikë edhe të atin si dhe hallën e tij.

Urim Hysenin ishte me leje qëndrimi në Gjermani ku jetonte dhe mësohet se kishte blerë edhe biletë kthimi më datë 19 prill 2023.

Shkaqet që e çuan Urim Hysenin të vriste nënën e tij mbeten të paqarta. Fqinjët thanë se ai e fajësonte shpesh nënën e tij si shkaktare për divorcin e tij të dytë. Sipas të njëjtave burime ai kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Gjermania ku kishte jetuar për 5 vjet dhe njihej si përdorues i lëndëve narkotike.
Gjykata e Pejës vendosi sot masën e paraburgimit për të paktën 30 ditë për të ndaluarin ndërsa prokuroria ka urdhëruar kryerjen e një ekspertizë psikike për të.

58-vjeçarja Hyrije Broqi-Hyseni u përcoll këtë të shtunë për në banesën e fundit. Në ceremoninë e saj mortore ishin të pranishëm qytetarë të shumtë./tvklan.al