22/02/2024


Abdixhiku me fotografi të ministrave të VV-së: Shkelës të konfirmuar të Kushtetutës dhe shkelës në pritje.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për Ditën e Kushtetutës së Kosovës, ka postuar një listë me ministra të Qeverisë Kurti të cilët kanë shkelur, apo janë në dyshim se kanë shkelur Kushtetutën.

Në listën e tij, ai ka përmendur ministret Albulena Haxhiun dhe Arbërie Nagavcin, të cilët janë konfirmuar si shkelëse të Kushtetutës, ndërsa i ka shtuar edhe ministrat Xhelal Sveçla, Rozeta Hajdari dhe Hekuran Murati, si ministra ligjet e të cilëve janë në shqyrtim nga Kushtetuesja.

Abdixhiku thotë se për këtë Ditë të Kushtetutës, do t’i kujtojmë shkelësit e saj, teksa pyet se “a është ky ndryshimi për të cilin Kosova kishte nevojë”

“Në Ditën e Kushtetutës, le t’i kujtojmë shkelësit e saj. Ata të konfirmuar tashmë, e të tjerët në pritje. Do të thonë se janë shkelje të lehta këto; se Kushtetuta është shkelë dhe nga të tjerët më parë. Por a është ky ndryshimi për të cilin Kosova kishte e ka aq shumë nevojë? Që pushtetarët e paprekshëm, të qëndrojnë mbi ligj e mbi Kushtetutë?”, shkruan ai.

“Urime Dita e Kushtetutës qytetarë. Kosovën do ta bëjmë vërtetë më të mirë një ditë. Sepse vendi ynë meriton më shumë; meriton më mirë!”, përfundon Abdixhiku.