Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë një aktivitet për t’u dhënë mbështetje morale ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në Hagë.

Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Besianë Musmurati, ka njoftuar të premten se pas ligjëratave të ushtarëve të UÇK-së në disa prej shkollave të kryeqytetit, fëmijët kanë realizuar punime të ndryshme.

Ajo ka bërë të ditur se këto punime do t’i shpërndajnë në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe disa prej tyre do t’i dërgojnë edhe në Hagë.

“Pas ligjëratave të ushtarëve të UÇK-së në disa prej shkollave të Prishtinës, fëmijët bënë punime të ndryshme që i shpërndamë në OVL të UÇK-së. Disa prej tyre po i dërgojmë tek liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë”, ka shkruar Musmurati në Facebook.

“Mrekullive të botës duhet t’i shtohet edhe lufta çlirimtare e UÇK-së”, ka shkruar Leka nga shkolla Naim Frashëri.

“Unë ende kam besim te njerëzimi sepse ende kam besim tek ju. Na keni treguar herë pas here se ne mund t’ju besojmë. Andaj, ju jeni heronjtë tanë!”, ka shkruar Erza, e cila ka lindur në vitin që është shpallur Pavarësia.

“Ndoshta sot je me thinja, por ne do të kujtojmë gjithmonë për zgjuarsinë, trimërinë dhe sakrificën që e ke bërë për fëmijët e Kosovës”, thuhet në letrën tjetër.

Musmurati tutje ka shtuar se shpresojnë që me këto letra “të përçojnë mirënjohjen e thellë që e kemi për UÇK-në dhe vlerat e saj”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *