Nga Berati, kreu i demokratëve Sali Berisha tha se emërimet e kryeministrit Rama për kandidatë të Bashkive janë kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur Enver Hoxha. Ndërsa kandidatët e Primareve janë rreze shprese dhe burim drite, sipas Berishës.
“Krahasoni pak me kandidatët rivalë. Dolën mbrëmë pas orës 1 të natës nga shpella e rilindjes. Diku, diku u emëruan me dajak, në zona të tjera me hekura në duar. Ky ishte procesi i emërimeve në partinë shtet, ky ishte procesi, ky është procesi më mafioz, më antidemokratik, më jo transparent në historinë e Shqipërisë. Kjo është një kopje e shëmtuar e emërimeve që bënte dikur Enver Hoxha, me byronë e tij politike”.
Sipas Berishës, kryeministri Rama më 14 Maj do të pësojë disfatë historike.
“I shpalli palë pa qenë palë dhe tre ditë para hapjes së procesit i mori të gjitha, vulën, simbolin partisë tuaj me qëllimin e vetëm që mos të hyjë në zgjedhje, sepse ai ka frikë dhe është i sigurt se 14 Maji është disfata e tij e thellë”.
Në Berat kryetari i PD-së, Berisha prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zija Ismaili për betejën e 14 Majit.
Klan News