“ShqipVille” në Bruksel fiton kontratën afatgjatë, si model i diversitetit kulturor

Pse po flitet kohët e fundit kaq shumë për “ShqipVille”? Pse shumë shqiptarë por sidomos shumë të huaj që kalojnë pragun e kësaj shtëpie e kthejnë pastaj në një adresë të përhershme? Pse shumë biznese po afrohen dhe po shohin si një strukturë të frytshme dhe marketing të përsosur për produktet e tyre autentike shqiptare?

Sepse në zemër të Brukselit, në zonën më historike, të vizituar dhe tërheqëse, në Grand Place, “ShqipVille” po frymon si një strukturë e fortë, funksionale, e prekshme, e suksesshme dhe sidomos vizionare, që ka për mision të krijojë ura lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës dhe Belgjikës.

Belgjikës, sepse është vendi ku ShqipVille ka adresën, por në çdo orë të ditës hyjnë në atë derë me qindra njerëz nga vende të ndryshme të botës, ca të kuriozuar nga flamuri shqiptar në hyrje, ca sepse kanë dëgjuar tashmë për këtë vizion apo sepse janë miqsh shqiptarësh. Të huajt po shohin dhe po njohin për herë të parë në mënyrë kaq të qartë dhe të vërtetë se shqiptarët janë intelektualët, të shkolluarit, ekselentët dhe të talentuarit dhe po bëhen edhe ata pjesë e këtij komuniteti.
Kurse shqiptarët vetë po gjejnë më në fund një pikë takimi që promovon sistemin e vlerave, po shohin modelin se si duhet të funksionojë një shoqëri multikulturore dhe po njohin njëri-tjetrin përtej atyre mbledhjeve klasike me muzikë e koncerte. Ka edhe në “ShqipVille” muzikë e çfarë muzike, në ato mbrëmjet e degustimit kur shijohet një gotë verë nga kantinat e shkëlqyera shqiptare e ushqim që mban vetën markën made in Albania, në mbrëmjet poetike e në promovimin e librave, në ekspozitat e pikturave dhe në promovimin e produkteve të fabrikuara në Shqipëri.

Sepse pikërisht ky ka qenë dhe është qëllimi i Maison Culturele Belgo-Albanaise, themeluar nga gazetarja Ledja Canaj: të ndërtojë të parin model kreativ me impakt të vërtetë në komunitetin belg-shqiptar dhe jo vetëm, me qëllimin për të inkurajuar dialogun ndërkulturor mes Shqipërisë, Kosovës dhe Belgjikës, duke promovuar të rinjtë e talentuar, pasurinë kulturore, artistike apo gastronomike.

Ama jo duke e mbajtur fjalime në erë, por duke e sjellë konkretisht, duke e bërë të prekshëm dhe të njohshëm. Dhe pikërisht sepse çdo gjë erdhi përtej teorive, klisheve të lodhshme, bërtitjeve “o sa mirë me qenë shqiptar”, por duke shfaqur në të vërtetë dhe fare natyrshëm fuqinë dhe vlerat më autentike të këtij komuniteti kaq të madh, modeli “ShqipVille” po konsiderohet si një koncept i gatshëm tashmë, që mund të riprodhohet lehtësisht edhe në vende të tjera të Evropës me komunitet të madh shqiptarësh.

Është fillimi i krijimit të një rrjeti multifunksional, kreativ dhe me në fund modern. Aq modern sa të mos jetë i varur nga asnjë fije lidhëse me politikën.

Krejt i pavarur, i hapur dhe mikpritës për t’u prekur nga të gjithë pa asnjë detyrim financiar por me detyrimin e vetëm për të përforcuar ndjenjat e përkatësisë dhe për t’u dhënë emigrantëve mundësinë për të qenë pjesë aktive e jetës kulturore dhe sociale të qytetit ku janë integruar dhe ku janë bërë pjesë me aq shumë luftë e vështirësi.

Dhe pikërisht sepse më në fund edhe ne shqiptarët kemi një shtëpi dinjitoze, pikërisht sepse bizneset shqiptare po gjejnë një platformë që funksionon dhe ka efekt, pikërisht sepse modeli po shihet si lehtësisht i instalueshëm edhe në vende të tjera, “ShqipVille”, që e nisi rrugën vetëm si një projekt 3-mujor, tashmë ka një jetë të gjatë, shumë të gjatë.

Ledja Canaj, krijuesja e këtij projekti ka nënshkruar kontratën shumëvjeçare dhe qëndron hapur falë mijëra vizitorëve që e kanë vlerësuar këtë koncept unik si modeli bashkëjetesës multikulturore dhe fuqizimit të sistemit të vlerave… Ua dhamë përgjigjen e pyetjeve të fillimit? Ah, keni pyetje të tjera? Dukuni në “ShqipVille” çdo ditë, vizitoni faqen e Instagramit @maisonculturellebeal, ku do zbuloni histori fantastike shqiptarësh dhe ejani të festojmë Pashkë & Bajram në datën 30 Mars, në orën 19:00.

Share post: