17/07/2024

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.
Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobari tha të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan tha se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, tha ai.
Escobari e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe tha se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim.

Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Në rundin e dialogut, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe Escobari.

Propozimi evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se marrëveshja ofron “njohje de facto”, ndërkaq sa i përket Asociacionit, ai i është referuar nenit 7, duke thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me këtë dokument, formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshja e 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, pikat mund të harmonizohen me ligjin.

BE-ja së fundmi i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës disa modele evropiane për të drejtat e komuniteteve joshumicë, nga të cilat mund të merren shembuj për themelimin e Asociacionit. Qeveria në Prishtinë ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar ato.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe me mbështetjen e SHBA-së, që nga 2011. Kosova kërkon që në fund, marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, e Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi. /REL