Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për dy rrugë në të cilat mund të rezultojë procesi i dialogut varësisht nga takimi i së shtunës në Ohër.
Sipas Hazirit, takimi i Ohrit mund ose ta zyrtarizojë marrëveshjen e arritur në Bruksel, ose ta komplikojë më tutje procesin e dialogut, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Tanimë diplomacia e Lajçak është pjesë e praktikës së modalitetit të negociatave. Qëndrimi javën e kaluar në Prishtinë, një vikend në mes i zbrazur për t’u kthyer në Serbi dhe për të përgatitur takimin e Ohrit. Ne kemi një marrëveshje në parim e pranuar nga të dy palët dhe tani presim që pjesë e atij takimi të bëhet edhe dokumenti plotësues që llogaritet të jetë pjesë integrale e marrëveshjes për të cilën nuk ka dakordim të palëve”, ka deklaruar Haziri në RTV 21.
“Me vet faktin që ka një dallim te kjo çështje, atëherë Ohri mund ta konfirmojë një marrëveshje të pranuar në Bruksel, apo mund ta komplikojë edhe më tutje këtë proces të dialogut. Mbetet të shihet prej palëve”, shtoi tutje Haziri.
Kujtojmë se të shtunën, 18 mars, do të zhvillohet takimi i radhës Kurti-Vuçiq, me ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak dhe Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Ndërkaq, gazeta online Reporteri.net merr vesh se në takim do marrë pjesë edhe emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. /Reporteri.net/.