18/01/2025

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shënoi të martën 20 vjet në detyrë. Ai shërbeu fillimisht si kryeministër dhe më pas si president i Turqisë. Në zgjedhjet e majit, të cilësuara si më të vështirat për të, Erdogani po kërkon një mandat të tretë
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili po kërkon mandatin e tretë radhazi në detyrë në zgjedhjet e majit, shënoi të martën 20 vjet në pushtet.

69-vjeçari, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014 dhe si president më pas, filloi si një reformist që zgjeroi të drejtat dhe liritë, duke lejuar vendin me shumicë myslimane të fillonte negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndryshimi i kursit

Më vonë ai ndryshoi kursin, duke shtypur disidencën, duke ngufatur median dhe duke miratuar masa që gërryen demokracinë.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të caktuara për 14 maj mund të jenë më sfidueset e Erdoganit. Ato do të mbahen mes trazirave ekonomike dhe inflacionit të lartë, vetëm tre muaj pas një tërmeti shkatërrues që la të vdekur dhjetëra mijëra njerëz.

Ja një vështrim në disa nga datat kryesore gjatë sundimit të Erdoganit:

27 mars 1994: Erdogani zgjidhet kryetar bashkie i Stambollit, duke konkurruar në emër të Partisë proislamike të Mirëqenies.

12 dhjetor 1997: Erdogani dënohet për “nxitje të urrejtjes” për leximin e një poezie që gjykatat e gjykojnë se është në kundërshtim me parimet laike të Turqisë dhe dënohet me katër muaj burgim.

14 gusht 2001: Erdogani, i cili u shkëput nga Partia e Mirëqenies me anëtarë të tjerë të krahut të saj reformist, formon Partinë Konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim, ose AKP-në.

3 nëntor 2002: Një vit pas themelimit, AKP-ja fiton një shumicë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme. Megjithatë, Erdoganit i ndalohet të kandidojë për shkak të dënimit të tij.

9 mars 2003: Erdogani bëhet pjesë e Parlamentit në zgjedhje të pjesshme pasi i hiqet ndalimi politik.

14 mars 2003: Erdogani zëvendëson kolegun e tij të AKP-së, Abdullah Gul, si kryeministër.

3 tetor 2005: Turqia fillon bisedimet e pranimit me Bashkimin Evropian, pasi Qeveria e Erdoganit prezanton një sërë reformash.

22 korrik 2007: Erdogani fiton 46.6% të votave në zgjedhjet e përgjithshme.

Lufta juridike

31 mars 2008: Gjykata Kushtetuese pranon një aktakuzë që kërkon mbylljen e AKP-së për akte të dyshuara në shkelje të sekularizmit. Gjykata përfundimisht vendos të mos e mbyllë partinë, por të shkurtojë financimin e thesarit për partitë politike.

20 tetor 2008: Fillimi i një serie gjyqesh kundër oficerëve ushtarakë, ligjvënësve dhe figurave publike. Të dyshuarit akuzohen për komplot për të përmbysur Qeverinë, në ato që rezultojnë të jenë gjyqe të rreme të bazuara në prova të falsifikuara dhe të dizajnuara për të eliminuar kundërshtarët e Erdoganit. Pastaj kritikët akuzuan se gjykimet përdorën rrjetin e klerikut me bazë në SHBA, Fethullah Gulen.

12 shtator 2010: Erdogani fiton një referendum mbi ndryshimet kushtetuese që lejojnë Qeverinë të emërojë gjyqtarë të gjykatave të larta, të frenojë kompetencat e ushtrisë dhe të sigurojë që presidentët të zgjidhen nga zgjedhjet kombëtare dhe jo nga Parlamenti.

12 qershor 2011: Erdogani fiton zgjedhjet e përgjithshme me 49.8% të votave.

28 maj 2013: Protestat antiqeveritare mbarëkombëtare shpërthyen mbi planet për prerjen e pemëve në parkun qendror “Gezi” në Stamboll. Protestat më të mëdha ndonjëherë të Turqisë rezultojnë në tetë të vdekur, ndërsa Qeveria akuzohet për përdorimin e forcës së tepruar kundër protestuesve.

10 gusht 2014: Erdogani fiton zgjedhjet e para presidenciale të Turqisë të mbajtura me votim të drejtpërdrejtë popullor. Edhe pse posti është kryesisht ceremonial, ai akuzohet për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në drejtimin e vendit.

Puçi i dështuar

7 qershor 2015: AKP-ja, e kryesuar nga Ahmet Davutoglu, pasi Erdogani u bë president, humb shumicën në zgjedhjet parlamentare dhe detyrohet të kërkojë një koalicion.

1 nëntor 2015: AKP-ja rifiton shumicën parlamentare në zgjedhjet e përsëritura pas disa muajsh pasigurie, duke përfshirë bomba vetëvrasëse nga grupi i Shtetit Islamik dhe rifillimin e një konflikti dekadash me militantët kurdë.

15 korrik 2016: Qeveria e Erdoganit i mbijeton një përpjekjeje për grusht shtet ushtarak, fajtorë të të cilit u cilësuan ndjekësit e klerikut me bazë në SHBA, Gulen, ish-aleat i Erdoganit. Grushti i dështuar i shtetit rezulton në gati 290 të vdekur. Më pas Qeveria fillon një goditje në shkallë të gjerë ndaj rrjetit të Gulenit, duke arrestuar dhjetëra mijëra dhe duke spastruar më shumë se 130 mijë nga vendet e punës në Qeveri. Shumë media dhe organizata joqeveritare mbyllen dhe më pas goditja zgjerohet tek kritikët, duke përfshirë ligjvënësit dhe gazetarët kurdë. Bisedimet e pranimit në BE, të cilat kishin bërë përparim të ngadalshëm, janë ngrirë me kushtëzimin e fuqizimit të demokracisë.

Sistem qeveritar “me një njeri”

16 prill 2017: Votuesit në një referendum miratojnë ngushtë kalimin e sistemit politik të vendit nga një demokraci parlamentare në një sistem presidencial ekzekutiv, duke hequr postin e kryeministrit dhe duke përqendruar një sasi të madhe pushteti në duart e presidentit. Kritikët e quajnë sistemin një “rregull me një njeri”.

24 qershor 2018: Erdogani fiton zgjedhjet presidenciale me 52.59% të votave, duke u bërë presidenti i parë i Turqisë me fuqi ekzekutive, ndërsa aleanca e partisë së tij me një parti nacionaliste siguron shumicën në Parlament.

22 qershor 2019: Partia e Erdoganit humb zgjedhjet e përsëritura për kryetar të Stambollit, pasi konteston zgjedhjet e marsit, të cilat kandidati i partisë kryesore opozitare i kishte fituar ngushtë. Është hera e parë që nga fitorja e Erdoganit për kryetar komune në vitin 1994 që partia e tij dhe paraardhësit e saj humbin qytetin më të rëndësishëm të Turqisë.

6 shkurt 2023: Një tërmet i fuqishëm shkatërron pjesë të Turqisë dhe Sirisë, duke lënë të vdekur më shumë se 48 mijë persona në Turqi. Qeveria e Erdoganit kritikohet për reagimin e saj të dobët ndaj katastrofës dhe për dështimin në përgatitjen e vendit për një tërmet në shkallë të gjerë.

Përktheu: Forca Jashari