Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar të enjten se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka nisur punën për korrigjimin e mospërputhjeve eventuale ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u zbatuar në sistemin e vjetër dhe në atë të ri të Ligjit për pagat.
Në njoftimin e lëshuar nga MPB-ja është thënë se do të korrigjohen të gjitha vlerat e minusuara nga mospërputhjet dhe do të kompensohen në mënyrë retroaktive.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjitha palët se me kohë ka dërguar njoftim me shpjegimet përkatëse në të gjitha njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore, ku është bërë e njohur procedura, adresa ku dorëzohen kërkesat, dokumentet e nevojshme që mbështesin kërkesat/pretendimet e palëve, etj. Për aq sa kanë ndodhur mospërputhje, DMZP njofton opinionin se të gjitha pasaktësitë që nuk janë shkaktuar nga mungesa e klasifikimit të vendeve të punës, në përputhje me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe vendimin e Qeverisë të datës 16.02.2023, do të korrigjohen dhe të gjitha vlerat e minusuara nga mospërputhjet do të kompensohen në mënyrë retroaktive”, thuhet në njoftim. “Nga ana tjetër, të gjitha pretendimet për gabime që rrjedhin si pasojë e mungesës së akteve të brendshme mbi klasifikimin e vendeve të punës nëpër institucionet që ndikohen nga Ligji për pagat në sektorin publik, do të adresohen në procesin e përmbylljes së klasifikimit të vendeve të punës në institucionet publike në momentin e miratimit dhe hyrjes në fuqi të tyre”.
Pengesa ka të bëjë me përshkrimin e pozitave të punës.
Ditë më parë është paralajmëruar që do të paguhen shtesat e papaguara. Pasi janë ekzekutuar pagat me koeficientin e ri, është bërë e ditur se nuk kanë dalë shtesat e parapara në Ligjin për paga.
MPB-ja ka bërë të ditur se ato do të ekzekutohen në mënyrë retroaktive, pasi, sipas saj, komisioni është duke vazhduar në procesin e mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave.