10/12/2024

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, me rastin e 7 Marsit ka shprehur urimin e tij nëpërmjet një kumtese. Xhaferi shkruan se profesioni i mësuesit është me rëndësi të madhe në zhvillimin e gjeneratave të reja.

“Më lejoni që në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal të drejtoj urime të sinqerta me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 Marsi, ditës kur është hapur mësonjëtorja e parë në gjuhën shqipe në Korçë. Që ka qenë fitore e madhe në ngritjen intelektuale të popullit shqiptar, kudo që ka jetuar”.

“Uroj që ky profesion dhe mision fisnik i Juaj, që është me rëndësi pa masë për ardhmërinë e fëmijëve tanë, për ardhmërinë e vendit tonë dhe përparimin e botës në përgjithësi, t’ju udhëheqë dhe motivojë nëpër sfidat e shumta që i sjell çdo ditë e re. Rëndësia e Juaj për rritjen dhe zhvillimin e drejtë të gjeneratave të reja është shumë më e madhe se vështirësitë me të cilat ballafaqohemi viteve të fundit të gjithë, punonjësit arsimorë, nxënësit dhe prindërit, por, nuk guxojmë të dorëzohemi, nuk guxojmë të ndërpresim hallkën e transmetimit të dijenisë”.

“Dituria është motori që e çon përpara njerëzimin dhe botën dhe ai lum doemos të rrjedhë vazhdimisht dhe të derdhet në fëmijët tanë. Kjo ditë, a edhe 5 Tetori, që është Dita botërore e mësuesit, e përcaktuar nga UNESKO-ja, në fakt janë kremtimi dhe nderimi i përkushtimit Tuaj për ndriçimin e rrugës dhe mendjes së të rinjve tanë të cilëve ua besojmë ardhmërinë e vendit dhe botës. Dhe, andaj, paçi jetë e shëndet, jeni përplot energji dhe kreativitet në gjetjen e mënyrave më të ndryshme që zëri Juaj, dituria Juaj të mbërrijë te qëllimi i dëshiruar dhe ti japë frutat e dëshiruar, gjenerata intelektualisht të ngritura me të cilat do të jemi krenarë edhe ne si prindër, edhe Ju si punonjës arsimorë”, ka shkruar Xhaferi./Telegrafi/