Begaj për herë të parë në NATO si president, takon Stoltenbergun

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillojë vizitë zyrtare në NATO.

Kreu i shtetit shqiptar do të takohet me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të diskutojë lidhur me zhvillimet strategjike dhe të sigurisë në krahun lindor të NATO-s dhe Ballkanin Perëndimor.

“Gjithashtu, temë e diskutimeve do të jetë vijimi i mbështetjes për Ukrainën; angazhimi dhe kontributi i Shqipërisë në NATO, si edhe pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Vilnius, Lituani, në korrik të këtij viti”, transmeton Klankosova.tv.

Në këtë vizitë zyrtare, Begaj do të shoqërohet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji dhe anëtarë të kabinetit të tij.

Kjo është vizita e parë zyrtare në NATO e Begajt në Aleancën Veri-Atlantike në cilësinë e presidentit të Shqipërisë.

Në përfundim të takimit, në orën 13:00, Begaj dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, bën të ditur presidenca shqiptare, transmeton Klankosova.tv.

Share post: