04/10/2024

Përparimi drejt barazisë gjinore “po na zhduket para syve”, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Komisionin për Statusin e Gruas, të hënën.

Duke folur për grupin e të drejtave të grave, para Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars, Guterres ka thënë se barazia gjinore është “300 vjet larg” sipas parashikimeve të fundit të UN Women, organizatës së OKB-së të dedikuar për barazi gjinore e fuqizim të pozitës së gruas.

Guterres ka cituar shkallën e lartë të vdekjeve të grave për shkak të komplikimeve në lindje, martesat e hershme të vajzave, kidnapimi i vajzave nëpër shkolla si dëshmi që shpresa për arritjen e barazisë gjinore “po shkon duke u larguar”.

Në fjalimin e tij, Guterres nuk ka përmendur Iranin, që u përjashtua nga komisioni me 45 anëtarë në dhjetor, për shkak të protestave pas vdekjes së Mahsa Aminit, që po mbahej në paraburgim nga e quajtura “policia e moralit”.

“Të drejtat e grave po abuzohen, po kërcënohen, dhe po shkelen gjithandej botës”, ka thënë Guterres duke përmendur pak shtete, përfshirë Afganistanin, ku ka thënë se “gratë dhe vajzat janë zhdukur nga jeta publike”.

Guterres po ashtu ka thënë se në shumë vende “të drejtat e seksualitetit dhe riprodhimit po zhduken”.Ai ka bërë thirrje për veprime “urgjente” për të përmirësuar edukimin e punësimin e grave, sidomos në shkencë e teknologji.