06/02/2025

Njëjtë si kreu i ekzekutivit, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ashtu sikurse kreu i ekzekutivit Albin Kurti, i ulur vet në karrocë të personave me aftësi të kufizuar, për shkak të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, ka pritur në një takim drejtuesit e shoqatës së personave me aftësi të kufizuar HANDIKOS.

Drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi, sipas komunikatës për media, ka njoftuar Konjufcën në lidhje me aktivitetet e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe pozitën sociale të personave me aftësi të kufizuar.

“Drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi, e njoftoi Kryetarin Konjufca në lidhje me aktivitetet e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe pozitën sociale të personave me aftësi të kufizuara, duke kërkuar më shumë përkrahje institucionale për këtë kategori të shoqërisë sonë”, thuhet në njoftim.Sipas kësaj komunikate, Konjufca ka ritheksuar nevojën që institucionet qendrore dhe ato lokale, por edhe shoqëria në përgjithësi, të rrisin kujdesin dhe investimet në krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara.

Po ashtu, Konjufca ka shprehur mbështetje për t’iu siguruar atyre mundësi të barabarta dhe jetë sa më të dinjitetshme.

Përvec Konjufcës, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, edhe kryeministri Albin Kurti, në mëngjesin e së mërkures, ka pritur në takim drejtorin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqi dhe përfaqësuesit e kësaj organizate.