Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati e ka cilësuar një hap përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, takimin e së hënës në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Bushati për “Euronews Albania”, tha se plani evropian ka disa elemente mjaft pozitive për Kosovën, ku përmendet reciprociteti, pranimi i integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës, por edhe për pandryshueshmërinë e kufijve.
“Mendoj që është një hap përpara në një proces të gjatë dhe sfidues që ka lidhje me normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi njohur vetëm me tekstin e planit evropian, por ende nuk i dimë detajet që duhet të përmbajë aneksi i këtij plani dhe mekanizmi i implementimit”.
“Plani ka disa elemente mjaft pozitive, sepse për herë të parë flitet për reciprocitetin, pranohet integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës, për pandryshueshmërinë e kufijve. Natyrisht, njohja e pasaportës kosovare, njohja e simboleve të Kosovës janë elementë që flasin për një njohje implicite”, deklaroi ish-kryediplomati shqiptar, transmeton Klankosova.tv.