Një zhurmë e pazakontë është dëgjuar mbrëmë pas mesnate në Prishtinë. Zhurma e cila u përsërit disa herë brenda disa minutave shqetësoi qytetarët të cilët dilemat e tyre i shprehën në rrjetet sociale.
Të gjitha këtyre pyetjeve se nga erdhi kjo zhurmë i dha përgjigje Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, në një bisedë me Edita Doli, në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini.
Bucolli, tha se zhurma e cila ishte aktivizuar disa herë, në periudha të caktuara, erdhi si pasojë e një avarie në termocentralin A4, i cili ka rënë nga sistemi.
“Zhurma erdhi si pasojë e një një avarie që ka shkaktuar edhe rënien nga sistemi të termocentralit A4 dhe kjo zhurmë është e zakonshme në këto raste. Mbrëmë, kushtet atmosferike kanë qenë të tilla, pa erëra dhe kjo sigurisht se ka qenë arsyeja pse është dëgjuar aq shumë kjo zhurmë në kryeqytet”, ka thënë Bucolli.
Bucolli njoftoi se njësitet e KEK-ut dhe KEDS-it janë duke punuar për sanimin e problemit dhe kthimin e njësisë në funksion.
