08/02/2025

Organizatorët thonë se protesta do të bëhet në ditën kur pritet të nisë procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në mënyrë që t’u jepet mbështetje atyre. Kanë thënë se besojnë në pafajësinë e ish-ushtarëve të UÇK-së dhe kanë akuzuar Gjykatën se procesin e ka kthyer në politik
Me moton “Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë” mërgimtarët kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste më 1 mars në Hagë, ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale.

Raif Istogu, një ndër organizatorët e protestës, tha të dielën se qëllimi i protestës është mbrojtja e vlerave të UÇK-së dhe mbështetja për themeluesit e saj.

Më 1 mars është paralajmëruar të nisë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të arrestuar në fund të vitit 2020.

“Në ditën e fillimit të gjykimit për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëjmë një protestë madhështore dhe paqësore dhe t’i tregojmë botës se ne jemi me vlera të Ushtrisë Çlirimtare dhe do t’i mbrojmë në çdo moment dhe jemi të sigurt që këta heronj që gjenden prapa grilave janë të pafajshëm”, ka thënë Istogu.

Ai theksoi se procesi i gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së është shndërruar në proces politik.

“Ne po mendojmë që qe dy vjet që ka filluar ky proces prej një gënjeshtre të ndërtuar nga kuzhinat serbe dhe ruse e të paraqitur në Parlamentin Evropian nga Dick Marty, ka rrëshqitur komplet në një proces politik. Vetë Gjykata nuk e ka kahen ashtu siç është formuar dhe është votuar nga Parlamenti i Kosovës”, u shpreh ai.

Istogu ka treguar se për organizmin e protestës, është marrë leje nga autoritetet holandeze.

“Autoritetet holandeze kanë qenë mjaft korrekte me ne edhe ne e posedojmë një leje për 1 mars, posedojmë një leje prej orës 9:00 deri në 12:00, do të thotë krejt është në rregull. Nuk e kemi asnjë pengesë nga autoritetet holandeze”, deklaroi ai.

Salih Mustafa është ish-pjesëtari i parë i UÇK-së, i dënuar në shkallë të parë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara në Hagë gjatë dhjetorit të vitit të kaluar.

Ai u dënua me 26 vjet burgim.

Në gjykim e sipër janë edhe rasti ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlametarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, i ish-deputetit Rexhep Selimi dhe ai i Pjetër Shalës.
Ndërsa, për pengim, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë, janë dënuar edhe ish-krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, me nga 4 vjet e tre muaj burgim.