Brukseli ende nuk ka një datë për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano gjatë ditës së djeshme ka thënë se ende nuk kanë ndonjë datë për të konfirmuar lidhur me këtë takim.
Vuçiq e pranon: Nuk ishim të bashkuar në parlament për Kosovën
Pas qëndrimit në Kosovë e Serbi të të Dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, Stano ka thënë se të dyja palëve u është bërë e qartë se BE-ja pret përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, vizitoi Prishtinën e Beograd, në kuadër të kornizës së punës që po e bën, duke u angazhuar me partnerët në terren, për të shtyrë para dialogun, për t’u bërë të qartë të dyja palëve se BE-ja pret përparim në këtë. Është propozimi i BE-së se si të shtyhet para ky dialog dhe progres drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti tashmë edhe zyrtarisht e ka pranuar propozimin evropian për arritjen e një marrëveshjeje finale në dialog. Këtë, Kurti e bëri të ditur pas vizitës së Lajçakut në Prishtinë, ku të dy u takuan në një darkë pune.
Menjëherë pas takimeve në Prishtinë e Beograd, Lajçak paralajmëroi një takim të nivelit të lartë në Bruksel.