Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka zgjedhur Bashkim Nurbojën për kryetar të tij.
Nurboja ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 si dhe kandidat për kryetar të Pejës nga kjo parti në zgjedhjet komunale të vitit 2017.
Në një njoftim të BQK-së thuhet se Nurboja është profesor universitar në fushën e ekonomisë, me doktoratë të përfunduar në Universitetin e Lubjanës – Fakulteti Ekonomik.
“Në punim të doktoratës ka trajtuar industrinë bankare. Nurboja, Magjistraturën e ka përfunduar në Angli në Universitetin Staffordshire, si dhe studimet për Biznes i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Bashkim Nurboja ka publikuar punime të ndryshme shkencore në revista shkencore në lidhje me industrinë bankare. Po ashtu, ka marr pjesë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare me fokus për financa. Nurboja është Profesor në Fakultetin e Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka”, si dhe ka qenë pjesë të projekteve të ndryshme të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Nurboja pason kryetarin e deritashëm, Flamur Mrasorin, të cilit i ka përfunduar mandati.