18/07/2024

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë – Artan Grubi në takimin informativ me moton “Bashkë për në Europë” të kreut të BDI-së me qytetarë dhe bazën partiake në Zhelinë tha se është jashtëzakonisht i lumtur sepse projekti më i madh si Korridori 8, sot u firmos në qeveri, duke kaluar pengesën e fundit për këtë projekt, për të lidhur Shkupin, Tiranën dhe Prishtinën.

“Zemra mal më bëhet kur ju shoh kaq shumë! Bediu i tha të gjitha, e unë s’di çka të them. Duke ardhur këndej kisha emocione për këtë takim, ndaj kur e pashë se sa shumë jeni në numër, m’u bë zemra mal nga vlerësimi. Kjo është BDI-ja sot, gra, burra, vajza, djem, mjekë, artistë e çdo kuadër, kjo është BDI sot dhe kjo nuk ndalet, s’ka kush që na del përpara. Keni ardhur këtu për të bashkëbiseduar me ne, ndaj duhet të ju përgjigjemi vetëm me punë. Sot në kryesojmë me OSBE-në, kemi dialog strategjik me SHBA-të, jemi në NATO dhe rrugëtojmë drejt BE-së. Me financa menaxhojmë ne, duke kaluar çdo sfidë, në ambient jemi ne, duke investuar në kanalizime, projekte ekologjike etj. Në arsim jemi ne, kemi investuar në shkolla, në ekonomi jemi ne, ulëm çmimet, ngritëm marzhat dhe ndihmuam bizneset. Në transport dhe lidhje jemi ne, kemi investuar dhe investojmë në projekte madhore si Korridori 8”, tha zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi në fjalën para banorëve të Zhelinës.

“Këto projekte po bëhen sepse na është deleguar vullneti politik dhe përgjegjësia nga një njeri lider që s’e njeh luksin, dreka e as darka, por është I thjeshtë dhe përjetësisht jam mirënjohës ndaj tij, ai është lideri ynë, Ali Ahmeti”, nënvizoi Grubi.(Indeks.mk)