15/07/2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për “Corriere della Sera”, ka thënë se liderët e Serbisë, me në krye presidentin Aleksandar Vuçiç, po ndjekin politikën e ngjashme që ndiqte Sllobodan Millosheviç, vetëm se ata kanë ndryshuar strategjinë.

Ajo beson se Serbia po kërcënon sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe po bashkëpunon me grupin famëkeq rus të mercenarëve “Wagner”. Kryetarja e shtetit të Kosovës shprehet se Serbia nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiç po luan sipas interesave të Rusisë dhe kjo qasje shtoi ajo është e rrezikshme.

“Fatkeqësisht, Serbia udhëhiqet nga ata që ishin në shërbim të Millosheviçit në vitet 1990 dhe kanë të njëjtat pretendime territoriale si atëherë: ata vetëm kanë ndryshuar strategjinë. Serbia e konsideron Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi si shtete provizore për t’u shkatërruar, dëshiron t’i destabilizojë ato”, ka thënë Osmani. “Mentaliteti hegjemonist i Beogradit është shumë i ngjashëm me qasjen që ka Rusia, ku beson se po kthehet në epokën e perandorive dhe po merr territore nga vendet fqinje. Dhe Serbia luan sipas skemës së Putinit. Paqësimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç nuk është rruga përpara, ne pamë me Millosheviçin në fillim të viteve 1990, kur disa e konsideronin si paqebërës. Vendet demokratike duhet t’i japin Beogradit një mesazh të qartë: nuk do të lejojnë që rajoni të tërhiqet në një konflikti tjetër. Për këtë arsye, prania e NATO-s në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Rusia dëshiron të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor, për ta larguar atë nga Ukraina. Dhe Serbia kërcënon sigurinë e Ballkanit Perëndimor duke përdorur forcat që bashkëpunojnë me Grupin Wagner, blen armë ruse dhe dërgon paramilitarë në veri të Kosovës për të ngritur barrikada e krijuar tensione”.E pyetur nëse ka dëshmi se paramilitarë të lidhur me Wagnerin që qëndrojnë në veri të Kosovës, Osmani ka thënën, se janë informacione konfidenciale. “Ne punojmë me aleatët tanë perëndimorë për t’u siguruar që këta paraushtarakë të lidhur me Wagnerin të dështojnë në planet e tyre për ta destabilizuar Kosovën”.

Osmani ka folur për arsyen pse pikërisht në këtë kohë Serbia po rrit tensionet në veri të Kosovës. Osmani ka thënë se në Serbi po rritet ndikimi rus, ndërsa ke ka quajtur presidentin serb Aleksandar Vuçiç një “drama queen”.

“Po rritet ndikimi rus në Serbi: Beogradi ka dhënë dritën e gjelbër për hapjen e të ashtuquajturave qendra humanitare ruse, të cilat sipas SHBA-së, nuk janë gjë tjetër veçse qendra spiunazhi dhe e kanë shndërruar kufirin me Kosovën në një strehë për ata që janë nën sanksione evropiane. Arsyeja e dytë ka të bëjë me bandat në veri të Kosovës të paguara, të mbështetura, të nxitura dhe armatosura nga Vuçiçi, kriminelë serbë që prej kohësh janë në listë të zezë të SHBA-së e Britanisë së Madhe. Ajo quhet mafia ballkanike dhe që nuk e pëlqen vendosmërinë me të cilën ne po luftojmë dhe prandaj përdor dhunën ndaj nesh. Vuçiçi po luan rolin e ‘drama queen’, është edhe zjarrvënës dhe zjarrfikës: fillimisht i përdor këto banda për të na desatabilizuar, pastaj shkon vërdallë duke folur për paqe”.

Ajo beson se Kosova mund të arrihet marrëveshje me Serbinë, porse “për të kërcyer tango duhen dy veta”. Lidhur me tensionet dhe provokimet e herë pas hershme në veri, Vjosa Osmani, theksoi se Serbia po e përdor strategjinë e ngjashme, të cilën e ka përdorur Rusia në Ukrainë në vitin 2014, kohë kjo kur e aneksoi Krimenë.

“Ajo që po bën Beogradi në veri të Mitrovicës është identike me atë që bëri Moska në vitin 2014 në Ukrainë: nxisin një pakicë, thonë se po lëviz për arsye humanitare dhe më pas aneksojnë”, tha Osmani.

Teksa bëri krahasimet që presidenti Vladimir Putin hoqi paralele mes Kosovës me Donbasin, Osmani nënvizoi se e vetmja gjë që mund të krahasohen janë “krimet e Vuçiçit dhe të Putinit”. Për të drejtat e pakicave, Osmani ka thënë se Kushtetuta e Kosovës u garanton pakicave të drejta si në asnjë vend tjetër në Evropë.

“Problemi është se serbët në veri janë në kufi dhe Vuçiçi i përdorë ata si pengje. Ata nuk kanë frikë nga unë, por nga bandat serbe që hyjnë në shtëpitë e tyre, u djegin makinat, kërcënojnë fëmijët e tyre. Një situatë shumë e vështirë”, tha Osmani. Sa i përket për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Osmani, ka thënë se UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare për ta mbrojtur vendin.

“Drejtësia dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare: agresori ishte Serbia, ne u sulmuam. Dhe UÇK-ja bëri luftë çlirimtare për të na mbrojtur. Por, ne nuk do të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në punën e gjykatës dhe do të respektojmë vendimin përfundimtar”, tha Osmani.

Mes tjerash, Vjosa Osmani u ndal tek figura e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa tha se ai ishte personi , i cili u jepte zë të pazëshmëve.

“Ai ishte personi që i jepte zë të pazërit. Ai krijoi aleanca në mbarë botën dhe hapi dyert e vendeve të forta për një komb të vogël si Kosova”, tha Osmani.